NJOFTIM PËR SHTYP
Beso te Diaspora i drejtohet zyrtarisht Qeverisë Shqiptare: Kërkesë për hapjen e një Konsullate me Shërbim të Plotë në Detroit, Michigan
Troy, Michigan — 19 Shtator 2026
Organizata Beso te Diaspora, në përfaqësim të komunitetit të gjerë shqiptaro-amerikan të Michiganit, Midwest-it dhe Ontarios Jugperëndimore (Kanada), ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar hapjen e një konsullate me shërbim të plotë në zonën metropolitane të Detroit.
Kërkesa, e firmosur nga Bordi i organizatës dhe e mbështetur nga konsulli i nderit, institucione fetare, shoqata, biznese shqiptaro-amerikane dhe mijëra nënshkrime peticioni, i drejtohet ministrit Ferit Hoxha, me kopje edhe presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama, ambasadorit Ervin Bushati dhe kryesisë së Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pse Detroit?
Michigani është shtëpia e komunitetit të dytë më të madh shqiptar në Shtetet e Bashkuara, pas atij të New York-ut. Sipas të dhënave zyrtare, në rajon jetojnë rreth 55,379 qytetarë me origjinë shqiptare, gjysma e të cilëve në Michigan — ndërsa vlerësimet jozyrtare e ngrenë këtë numër deri në 200,000 banorë vetëm në këtë shtet. Megjithatë, komuniteti vazhdon të mos ketë akses të drejtpërdrejtë në shërbime bazë konsullore, duke u detyruar të udhëtojë deri në New York apo Washington, D.C. për çështje si pasaporta, kartat e identitetit, certifikata civile, legalizime apo raste emergjente.
Çfarë kërkohet
Kërkesa evidenton pesë përfitime kryesore që do të sillte hapja e një konsullate në Detroit:
- Fuqizim të lidhjeve kulturore e identitare me diasporën;
- Nxitje të tregtisë, turizmit dhe investimeve mes Shqipërisë, SHBA-së dhe Kanadasë;
- Lehtësim të shërbimeve bazë konsullore, pa udhëtime të kushtueshme;
- Asistencë të shpejtë në raste emergjencash familjare apo shëndetësore;
- Detroit si pikë qendrore lehtësisht e arritshme për shqiptarët e gjithë rajonit të Midwest-it.
Organizata i ka kërkuar Ministrisë një përgjigje zyrtare brenda 45 ditëve nga marrja e korrespondencës.
Një thirrje për bashkim
Kjo kërkesë vjen si vazhdim i një fushate më të gjerë të nisur nga Beso te Diaspora, e cila prej muajsh ka mbledhur nënshkrime përmes një peticioni publik për këtë çështje. Organizata fton të gjithë anëtarët e komunitetit shqiptar në Michigan, Midwest dhe Kanada të vazhdojnë të bashkohen rreth kësaj nisme.
“Është koha që atdheu ynë të qëndrojë pranë bijve e bijave të tij, në mbështetje të kësaj diaspore në lulëzim,” thuhet në kërkesën zyrtare të dorëzuar.
Peticioni mbetet i hapur për nënshkrim në: besotediaspora.org/project/petition-consulate-michigan
Kerkesen e plote mund ta gjeni ketu.
Për më shumë informacion:
Beso te Diaspora
2800 Livernois Rd, Suite 204, Troy, Michigan 48083
Email: hello@besotediaspora.org | Tel: 586-596-5319

0 Comments